Pse një shkrimtar si unë i bashkohet Ramush Haradinajt?

Pse një shkrimtar si unë i bashkohet Ramush Haradinajt?

Në maj të vitit 2000 në Redaksinë e “Zërit” në Prishtinë, po më intervistonte një gazetar i Christian Science Monitor dhe pyetjes së tij se ç’domëthënie kishte liria për mua, që sapo kisha dalë nga burgu serb, i jam përgjegjur: “Me e pi një machiato t’mirë në qytetin tënd dhe mos me ardhë papandehur një bandit nga Shumadia me ia futë shkelm tavolinës sate. Kjo më vjen e para në mend!?”
E kush është kujdesur më mirë e më dinjitetshëm për këtë ndjesi timen se Ramush Haradinaj?


Shkruan: Halil Matoshi*


1.
Kam përjetuar arrestin arbitrar (tre herë nga viti 1990 -1998) nga fashizmi i Slobodan Millosheviqit për të vetmin motiv se isha shqiptar i Kosovës! Qe të tri herat xhandarë e milicë, udbash e spiuj, kanë bërë përpjekje të më poshtronin, me pyetjen: “Përse nuk luftoni por vetëm vajtoni, qyqana, duke kërku të pamundshmen, Republikën!?”

2.
Herën e fundit, në kampin famëkeq të përqëndrimit “Zabela” në Požarevac (Serbi) gjatë torturës nuk ma bënë më atë  pyetjen shpotitëse, përse nuk po luftonim, por tash krahas terrorizimit fizik e mental, thoshin: “Dobro pucate, zaboga, dole...” (Mirë po gjuni përzo, atje poshtë...), derisa ne u ishim nënshtru kushteve mizore dhe nuk kishim asnjë informacion se ç’po ndodhte “atje poshtë”, në Kosovë.
Nuk e kam njohur Ramush Haradinajn atëbotë, por kisha dëgjuar për një hero të gjallë, qe vet i shtati, me vëllezër e babë, i kishin dalë përballë ushtrisë serbe. Gjatë marrjes në pyetje nga kolonelë të DB-së (Sigurimi i shtetit) më kanë pyetur për Ramushin, sepse ata e dinin se isha kolegë me Bardh Hamzajn e Gllogjanit!?
-“Ata po luftojnë kundër armatës sonë të  mnershme, por do t’i zëmë e do t’i hedhim në këto qeli këtu, e ju do t’i shihni vetë, të prangosur e të mposhtur”, ishte një premtim i tyre, që nuk e realizuan kurrë.

Pra Haradinajt nuk i mposhti kurrë shteti serb!

Edhe pse kogja shumë varre u hapi në oborr, e kogja shumë plagë u hapi në trup!?
Kjo është një nga arsyet përse një shkrimtar si unë, e mbështet për President, Ramush Haradinajn!

3.
Së dyti, më pëlqen tek Haradinaj krenaria “dembele” (që nuk e shfaq kurrë si mburrje) por sa herë që flet për luftën i dorëzohet krejtësisht modestisë!

4.
Së treti, e mbështes Haradinajn për intuitën e tij reaktive. Në identifikimin e rreziqeve për vendin dhe aftësia e tij me i zbërthy shpejt materiet më të ndërlikuara e mesazhet më të sofistikuar dhe me punu me njerëz që nuk i kanë bindjet dhe besimet e tij.

5.
Dhe mbi të gjitha, e mbështes Haradinajn për President, jo vetëm si një mik e anëtar i Aleancës, por edhe për atë që është në thelb: Luftëtar.
I paepur dhe i pamposhtur!
Për Heraclitus, fuqia e luftëtarit që e shquan Thymos-i antik (krenaria dhe dinjiteti) e bën atë një luftëtar të ashpër por të drejtë dhe secili e di se është vështirë për të luftuar kundër thymos-it të tij - kundër zemrës së tij - për shkak se për atë që ai e dëshiron është i gatshëm ta paguajë çmimin më sublim: Jetën e tij.
Ky është ai investimi total Nietzschean në lojën e quajtur luftë...
Dhe në kohë paqeje luftëtari e ruan baraspeshen – mes lirisë dhe drejtesisë – duke ia besuar lirinë ligjit.
Atë e shquan sensi për drejtësi dhe dinjitet dhe nuk mund të shndërrohet në konformist, vetëm përse këtë e kërkon arti i të mundshmes...

6.
Ramush Haradinaj është lider shumë popullor porse, ka arritur që të shkëputet në mënyrë briliante nga popullizmi dhe patriotizmi si kiç!
Ai i shërben Kosovēs edhe kur është në opozitë edhe në pushtet, duke ndërtu unitet dhe duke kontribu për kohezion kombëtar e shtetëror.
Qytetarët e vëmendëshëm e dijnë se përgjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, Ramush Haradinaj nuk është marrë fare me rivalët politik, as me ata që ndërsy ia rrehin krahët si burrështeti e në mitingje elektorale shpifin ndaj tij!?
Ai nuk e njeh poshtërimin dhe nuk i poshtëron tjerët!

7.
Haradinaj është një ushtar lirie që i vihet në shërbim mbrojtjës dhe zgjerimit të saj, si politikan. Ai nuk është poashtu as një ministër turizmi që merr poza gjatë buajtjeve të tij nepër Europë, dhe po, ai vetëm një herë u takua ne Federica Mogherinin në Bruxelles, dhe pas atij takimi qarqe kundër Kosovës u kujdesën ta ftonin në Dhomat Speciale në Hagë, për ta nxitë që të linte postin e Kryeministrit, sepse ishte deja vù, se Haradinaj nuk e pranon me asnjë çmim shantazhin!?

8.
Solidar dhe kalorës fisnik, Ramush Haradinaj nuk i goditi në asnjë rast rivalët politikë, të vjetër e të rinj, sepse njeriun në shtrëngesë, nëse nuk mund ta përqafosh, së paku leje të qetë.
Ai gjatë kësaj fushate riktheu besimin në lidership si dhe sensin per drejtesi e unitet, në temat kombëtare.
Kosova është një projekt i papërfunduar në planin ndërkombëtar. Atë e pret dialogu me shtetin serbian, me një lider të fortë që vjen nga provinienca fashiste, Vučić.
Dhomat Speciale, do të përpiqen t’i përdorin qarqet anti Kosovë për denigrimin dhe delegjitimimin e Luftës Çlirimtare, me theks të posaçëm, barazimin e krimeve në Kosovë dhe rehabilitimin e Serbisë në rrafshin ndërkombëtar.
Dhe Ramush Haradinaj nga Presidenca nuk do ta lejojë këtë, sepse me shembullin personal ka dëshmuar se lufta e tij dhe e popullit të tij ishte e drejtë dhe UÇK-ja ushtri çlirimtare dhe forcë antifashiste!
Për këtë, Kosovës tash i duhet një luftëtar në krye të shtetit. Dhe këtë dëshmi sy bote, nuk mund ta japë askush më mirë se një hero i luftës.
Askush nuk e ka të drejtën ta zhveshë Kosovën nga krenaria e luftës për liri!

9.
Qe pse intelektualët, partitë dhe institucionet duhet ta mbështesin Ramush Haradinajn për President!?
Por, për këtë duhet të votohet AAK që të dalë sa më bindëse me 14 shkurt, si forcë e vërtetë e Kosovës!
Secili qytetar i Kosovës që e ka ndje peshën e poshtërimit dhe torturës, burgut dhe zisë së bukës, secila grua e burrë që e çmon lirinë, vetën, dinjitetin dhe krenarinë, duhet me u pajtu me faktin se në këto rrethana, Haradinaj është njeriu që i duhet Presidencës së Kosovës!
Dhe duhet ta mbështesë atë, duke dëshmuar patriotizëm kushtetues e qëndrueshmëri kombëtare.
Nuk ishin të kota fjalët e Presidentit serb se Haradinaj është ‘i rrezikshëm për Serbinë’, sepse siç e tha me gojën e tij ‘voždi’ serb: Haradinaj e ka përnjëmend!
Në një momentum të ri, kur Kosova do ta ketë ulësen në OKB dhe të jetë në rresht me ushtritë e NATO-s, unë, do ta preferoja një President që vjen nga katedrat e dijeve humane dhe që di të luaj në piano!
——————-
* Autori është veteran i gazetarisë, me 35-vjet përvojë, shkrimtar, autor i dhjetë librave, poezi, ese, tregime, ditar...