Pse po protestojnë spanjollët pas burgosjes së një reperi?

Pse po protestojnë spanjollët pas burgosjes së një reperi?

Trazirat kanë shpërthyer në disa qytete spanjolle ditë më parë, teksa janë mbajtur protesta për liri të shprehjes, lidhur me burgosjen e një reperi pak të njohur për fyerje të monarkisë spanjolle dhe lavdërim të terrorizimit.

Mirëpo, tani kjo çështje është kthyer në “patate të nxehtë” për koalicionin qeveritar, meqë partia e së majtës ekstreme është duke kërkuar faljen e reperit – dhe duke kritikuar policinë për brutalitetin e supozuar, shkruan Associated Press.

Kush është Pablo Hasél ?

Deri disa javë më parë, Hasel, 32-vjeçar, nuk ka qenë emër i njohur për familjet spanjolle.

Reperi me gjuhë të ashpër dhe kundër udhëheqësisë, konsiderohet poet nga disa dhe i pavlerë nga të tjerët.

Si mbështetës i ndarjes së Katalonjës nga Spanja, ai ka pasur disa ndeshje me ligjin, duke u dënuar më shumë se një herë, ndonëse jo me burgim.

Përveç postimeve në rrjetin social Twitter dhe teksteve që shkruan, ai është akuzuar edhe për sulm, pengim të drejtësisë dhe shkelje tjera.

Ai konsiderohet të ketë bërë së fundmi sërish vepër penale përmes një kënge dhe disa postimeve në rrjete sociale, duke fyer Mbretin Juan Carlos I dhe duke përshëndetur grupet terroriste, çka ka shtyrë autoritetet që kërkojnë arrestimin e tij dhe burgosjen në qytetin Lleida për nëntë muaj.

Tekste radikale

Hasél ka zemëruar shumë persona përgjatë dekadës së fundit. Në sulmet ndaj monarkisë, ai e ka përshkruar ish-mbretin si “mafioz, që ka plaçkitur Mbretërinë spanjolle”.

Në postimet e tij në Twitter, ai i është referuar grupit të shkatërruar terrorist bask, ETA, si “të çrrënjosur nga shteti torturues”.

Nëpër tekste tjera, ai ka folur me lavd për grupet tjera terroriste dhe ka mbrojtur sulmet me bomba ndaj televizionit shtetëror spanjoll dhe politikanit socialist, Patxi López.

Përderisa disa e kanë konsideruar këtë qasje si liri të shprehjes, ligji e ka parë ndryshe.

Protestat

Hasél ka paralajmëruar se nuk do të dorëzohet për të vuajtur dënimin. Ai është izoluar bashkë me mbështetësit e tij në një universitet në Lleida të hënën e kaluar për 24 orë, para se ta largonte policia nga aty.

Protestat, që në fillim kanë qenë paqësore, janë zgjeruar në disa qytete të Katalonjës, përfshirë Barcelonën.

Pamje nga protestat në Barcelonë.

Pamje nga protestat në Barcelonë.

Protestuesit kanë nisur të gjuajnë objekte drejt policisë dhe duke u vënë zjarr mbeturinave për të krijuar barrikada në rrugë.

Policia është përgjigjur me plumba gome dhe shkopinj metali.

Një grua e re ka humbur njërin sy në këto protesta.

Të martën, protestat janë përhapur në gjithë shtetin, përfshirë kryeqytetin Madrid.

Të mërkurën, protestat kanë qenë më të vogla, mirëpo sërish të dhunshme.

Ligji i panjohur

Aktualisht në qendër të vëmendjes është Ligji për siguri publike, i krijuar nga qeveria e kaluar konservatore, të cilin shumë e shohin të hartuar për të shuar protestat kundër qeverisë dhe për të mbrojtur policinë.

Ligji është përdorur kundër reperëve tjerë dhe komentuesve nëpër rrjetet sociale.

Dyqanet e thyera në Barcelonë.

Dyqanet e thyera në Barcelonë.

Rasti i Hasélit ka nxitur kritika nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ashtu sikurse nënshkrimin e peticionit nga mbi 200 figura të botës së artit, përfshirë regjisorin Pedro Almodóvar dhe aktorin Javier Bardem.

Koalicioni qeveritar, që po vëren presionin në rritje, është zotuar për të ndryshuar Kodin Penal për të eliminuar dënimet me kusht për veprat penale që përfshijnë lirinë e shprehjes.

Nuk shihet zgjidhje e shpejtë e situatës

Ndërkohë që po bëhen thirrje për më shumë protesta, Qeveria spanjolle dhe forcat policore janë të angazhuara për qetësim të situatës nëpër rrugë dhe për zbutje të debatit publik.

Qeveria e kryeministrit socialist, Pedro Sánchez, ka mbrojtur policinë dhe ka kritikuar dhunën, mirëpo ai duhet të jetë i kujdesshëm edhe për mosprishje të koalicionit me partinë e ekstremit të majtë.

Injorimi që ka bërë partia Të bashkuar mundemi, duke mos dënuar publikisht protestat, ka nxitur thirrje nga opozita për dëbim të liderit të saj nga qeveria, e cila mund të prishte koalicionin dhe të rezultonte me zgjedhje të reja kombëtare.REL./Aleanca.press/