Qeverisje praktikantësh, pa vizion se ku po e çojnë vendin!?

Qeverisje praktikantësh, pa vizion se ku po e çojnë vendin!?

“Rezultati kryesor i Qeverisë Kurti është fitorja e 14 shkurtit”- komentojnë votuesit e tij, sepse ai për 100-ditë qeverisjeje nuk ka shënuar asnjë hap që mund të cilësohet ‘hap para’!?

 

Shkruan: Halil Matoshi

Dikur ndër emisionet televizive amerikane më të shikuara “You asked for it” po rishfaqet, por tash në versionin kosovar dhe i veshur me petkun politik, si telenovelë mashtrimi.

Që në fillimet e qeverisjes Albin Kurti i bishtnoi krye-premtimit të tij se dialogu do të jetë prioriteti i katërt sepse “u vizatua” para Aleksandar Vučić-it, pa kërkim falje dhe pa u zgjidhë çështja e të pagjeturve të luftës.

Në vend të transparencës ndaj publikut, Qeveria Kurti 2 u kujdes që të dërgojë policinë dhe prokurorinë nëpër redaksi të mediave për frikësim, duke u përzier në politikat redaktuese të Transmetuesit Publik, duke e mësuar nga zyrat e pushtetit RTK-në se si të renditen lajmet!

Kjo Qeveri nuk ka më nevojë për fjalën e lirë dhe mediat, sepse ka vetëm një të vërtetë zyrtare që e transmeton Përparim Kryeziu, me idenë: Mjaft ka mashtruar media - tash mashtron Qeveria!?

Kryeministri ashiqare ka mashtruar votuesit e tij.

Ai shmangu reciprocitetin me Serbinë, njëherësh Minischengenin e urryer nga ai, që e cilësonte si “Jugosllavi të Katërt”  tash po e quen me emër tjetër: “Treg i Përbashkët Rajonal!”

Nisi duke i përbaltur kundërshtarët politik (LDK) përmes shantazhit me Ligjin për Zgjedhjet dhe në ditën e 100-të përbalti fqinjët (Malin e Zi) dhe aleatët strategjikë të Kosovës: Ambasadorin amerikan Kossnet!

Duke qenë se Qeveria Kurti 2 është zotuar për prioritetet e saj, ndër të cilat edhe menaxhimi i Pandemisë Covid19, jemi në fund të qershorit kur edhe bëhen 100-ditë në qeverisje, dhe kanë mbrri vetëm 81 mijë vaksina të kontraktuara nga shteti.

 

Natyrisht, falë faktorëve jopolitik dhe joshtetëror, Pandemia në vend është qetësuar, porse Qeveria ka qenë vetëm në rolin e vëzhguesit pasiv duke luajtur rolin e nji instituti të statistikave!?

Në anën tjetër, për t’i luftuar me mjete politike, kundërshtarët potencialë politik, Qeveria e qiti në rend dite miratimin e koncept-dokumentit për Ligjin e konfiskimit të pasurisë pa aktgjykim dënues, të cilin e kundërshtoi edhe BE, ngase: shkakton pasiguri juridike, krijon mekanizma paralelë dhe mundësi për ndjekje qeveritare.

Duke dashur të dëshmojë ndryshimin, Qeveria anuloi kontratat e shtetit për homologimin, gjë që rrezikon shtetin të shkojë në arbitrazh ndërsa shuarja eventuale e AKP-së, siç paralajmëroi Qeveria Kurti shkel ligjin dhe prek rendin kushtetues!?

Qeveria Kurti e ka prezantuar një projeksion dëshirash si programin qeverisës, si nji hartim shkollor pa asnji afat ose kosto; ndërsa dikur nepotizmi ishte fjala më e pështirë e opozitës në ballë me Albin Kurtin, sot kushërinjtë e dajtë po i mbushin postet politike në të gjitha Bordet drejtuese të kompanive publike dhe dikasteret qeveritare - duke i ngritur në detyrë dhe duke u dhënë poste në agjencitë e pavarura, madje edhe nga dy - njerëzit me lidhje familjare me të fuqishmit e “Ndryshimit”, madje duke e shkelur ligjin për konfliktin e interesit, sipas raportuesve të shoqërisë civile.

Qeveria në këto 100 ditë ka shkarkuar të gjithë ambasadorët me mandat politik dhe nuk ka emëruar të rinjtë, duke rrezikuar mbylljen e ambasadave në shtete të ndryshme, ndërsa ministrja e jashtme, Donika Gërvalla-Schwartz po përkujdeset që çdo javë të prodhojë një skandal, që nga denigrimi dhe nxirja e fytyrës së UÇK-së deri tek reagimet e pabalancuara diplomatike.

E tepërt është të flitet për mosdije të thellë të ekipit të saj në MPJ.

Kryeministri i Kosovës, Kurti interferon në Trupin elektoral në Shqipëri dhe në vend të përafrimit të politikave të jashtme po krijon situata tensionesh të reja me Tiranën zyrtare.

Kurse në politikat e brendshme - dikur angazhohej për barazi sociale - kjo Qeveri preku edhe qesen e pensionistëve duke ua heqë me vendim shtesën prej 30 euro, e duke u dhënë vetëm 10 euro shtesë. Pra pensionet bazë tashti do të jenë 100 euro.

Qeveria i shpall luftë administratës - tue akuzu për “spiunim”, me çka i frikëson sinjalizuesit e veprave korruptive në sistem, që e kanë detyrë ligjore.

Bash kur po i mbushte 100-ditë, Qeveria që e ka prioritet punësimin, prishi  kontratat me të gjithë infermierët që ishin pranuar për mbështetje në menaxhimin e pandemisë, pa e shpallur Pandeminë zyrtarisht të përfunduar dhe vetëm me 2% të popullsisë të vaksinuar!

Pos që në Qeveri e Kuvend, kjo shumicë ka njerëz me aktakuza, natyrisht se doli të ketë edhe milionerë, të cilët dikur kryengriteshin kundër “xhipave të zi”.

Qeveri fjalimesh ideologjike të Kryeministrit lider dhe qeverisje fjalimesh socialiste e praktikash kapitaliste (milionerë nga Marigona Hill).

Dhe në fund, ditën kur ambasadori amerikan Philip Kosnett, ia përkujtoi Kurtit Asociacionin e komunave me shumicë serbe si zotim i shtetit dhe kategori kushtetuese, dhe se historia nuk fillonte me 14 shkurt, Kryeministri i Kosovës u përkujdes të tallej me të, duke thënë se mund të ketë Asociacion të Maleve të Sharrit, por jo njëetnik.

Dita 101. Bosh.

Pak poezi të dobëta socrealiste dhe shumë mashtrim.

Keni kërkuar - shikoni!