QNR rekomandon rinumërimin e 500 vendvotimeve

QNR rekomandon rinumërimin e 500 vendvotimeve

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë do t’i rekomandojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rinumërimin e rreth 500 vendvotimeve nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, tha për Radion Evropa e Lirë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.

Sipas tij, QNR-ja bëri rekomandimin pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit, shkruan REL.

“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve. Po ashtu në një numër të madh të vendvotimeve, kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, tha Elezi, për të shtuar se KQZ-ja do ta shqyrtojë rekomandimin dhe do të marrë vendim.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, qytetarët kanë votuar në 888 qendra të votimit me 2,382 vendvotime.

KQZ tashmë ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve, sipas të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.43 për qind.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë më shumë se 830 mijë persona me të drejtë vote./Aleanca.press/