Ramosaj kërkon guxim nga Qeveria Kurti për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë

Ramosaj kërkon guxim nga Qeveria Kurti për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kërkuar nga Qeveria Kurti të jetë e guximshme për sa i përket ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë.

Ai thotë se janë dakorduar joformalisht për zgjidhjen e kontestit mes Komunës dhe Manastirit nëntorin e vitit të kaluar, prandaj thotë se kjo rrugë tani duhet të përfundohet.

"Me datën 9 nëntor ne kemi pasur një dakordim joformal për zgjidhjen e kontestit mes Komunës dhe Manastirit, ku obligim i yni është ndërtimi i rrugës në trasenë ekzistuese dhe kah Gushavci. Këtë financojeni. Dynjaja në paqin para, le të marojnë rrugë tjera kaH t'ju teket, neve s'na pengojnë. Jetike për ne është rruga R-107 Deçan Plavë, të cilën e nisi e asfaltoi për 11 km Ramush Haradinaj sa ishte Kryeminister. Duhet me Guxu me bo, a po ja nisim apo...!", shkruan Ramosaj në Facebook.

Ai tha se "ky shtet, kjo qeveri, është dashtë ta kenë në prioritet përfundimin" e kësaj rruge.

"Në situatën që jemi tani, 12 km rrugë janë të papërfunduara sepse në qeverinë Kurti I është hequr buxheti. Gjë e cila na penalizoi në gusht si komunë duke na pamundësuar ta asfaltojmë. Në këtë vit kompania ka në dispozicion vetëm 200 mijë euro, për 12 km rrugë gjë që është e pamundur të arrihet", thotë Ramosaj.

Temë tjetër, sipas kreut të Deçanit, është edhe ajo e 5 km rrugë që janë në Zonen e Veçantë të Mbrojtur e cila, sipas tij, pritet të financohet nga Qeveria "Kurti II", mirpo, siç shprehet Ramosaj, kjo qeveri ende nuk e ka gadishmërinë.

Ai përmendi edhe mungesën e buxhetit "apo thënë drejt heqjen e tij për fshatin Pleqë e Bellë, për elektrifikimin e kësaj zone të cilat lidhen ngushtë me Rrugën Deçan- Plavë"./Aleanca.press/