Ramush Haradinaj: UÇK-ja nuk ka pasur arkiva

Ramush Haradinaj: UÇK-ja nuk ka pasur arkiva

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth tëmës së arkivave të UÇK'së, e cila u hap pasi zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, tha se pala serbe është dakorduar të hapen arkivat shtetërore

 

Haradinaj në emisionin "Politiko" në Kanal 10 tha se pala kosovare është dashur të tregohet e sinqertë dhe të tregojë se nuk ka arkiva. 

Kreu i AAK-së tha se Kosova nuk ka arkiva konfidenciale të papublikuara për publikun apo palët tjera. 

"Këta kanë hyrë në një grackë me këtë premtim, sepse këta edhe ndoshta nuk kanë arkiva, e pastaj ti nëse s'i ki ia arsyeton Serbisë. Serbia nuk është se i ka kërkuar arkivat sepse po lyp dicka që nuk di, Serbia i ka kërkuar me qëllim këto arkiva, me e pas një pengesë që të mos i hapë të vetat. Dy fitore të njëpasnjëshme i ka, e para sepse ti ke pranuar, deri dje ke mundur të thuash nuk kemi, prej dje nuk mund të thuash më s'kemi, pra ka fituar me këtë. Dhe e dyta, kur ti nuk ia sjell ato arkiva ajo të vë ty faj, pra cështja e të pagjeturve do të vihet edhe më në rrezik se në të kaluarën, pra do ta kemi më zor ta detyrojmë Serbinë të na i hapë arkivat e veta, sepse këta ndoshta nuk kanë cka me i cu Serbisë, nuk kanë arkiva. është dashur të jenë të sinqertë, t'i tregojnë bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë, ne nuk kemi arkiva, ato cka ekzistojnë në publik, në deklarata, në emisione, në video, por nuk e di që ka Kosova arkiva konfidenciale të pazbuluara për publikun a për palët tjera, dhe nëse nuk i ke tani, atëherë Serbia thotë 'ok une t'i bi t'miat, por s'mi ke pru tuat' dhe cdoherë e gëzon të drejtën mos me t'i dhënë", deklaroi Haradinaj. 

I pari i AAK-së tha se kjo do ta dëmtojë Kosovën në cështjen e të pagjeturve, pasi Serbia do të deklarojë se Kosova nuk po e respekton obligimin rreth hapjes së arkivave. 

"Pra i ka dëmtuar të pagjeturit shumë keq, me faktin se ka pranuar se ka arkiva, e tani nëse nuk i sjell ato arkiva në tavolinë, unë nuk e di ku ka me i marrë të ju them të drejtën, sepse s'ka pasur arkiva, tash Serbia ka me thënë 'pala e Kosovës nuk po e respekton obligimin', dhe ti s'ke të drejtë më ta akuzosh se Serbia nuk po tregon për të pagjeturit. Pra e kanë humbur betejën në një pozicion që është mjaft i rrezikshëm dhe i dëmshëm për të pagjeturit", ka deklaruar Haradinaj./AleancaPress/