ShBA/Gjykata shpall fajtorë 3 burra për vrasjen e personit me ngjyrë Ahmaud Arbery

ShBA/Gjykata shpall fajtorë 3 burra për vrasjen e personit me ngjyrë Ahmaud Arbery

Gjykata në shtetin amerikan Georgia shpalli fajtorë tre burra të akuzuar për vrasjen e personit me ngjyrë Ahmaud Arbery në vitin 2020, në një rast që tërhoqi vëmendjen mbarëkombëtare.

Ata u akuzuan për vrasje, sulm të rëndë, burgim të rremë dhe tentativë për burgosje të rreme.

Travis McMichael, njeriu që qëlloi për vdekje 25-vjeçarin me ngjyrë në qytetin port Brunswick në shkurt të vitit 2020, u shpall fajtor për të gjitha akuzat kundër tij, duke përfshirë vrasjen me qëllim, katër akuza për vrasje të rëndë, dy akuza për sulm të rëndë, burgim të rremë dhe përbuzje penale.

Babai i tij, Gregory McMichael, u shpall i pafajshëm për vrasje me qëllim, por u shpall fajtor për të gjitha akuzat e tjera. Fqinji i tyre, William “Roddie” Bryan, Jr., i cili u bashkua në ndjekje dhe pamjet e celularit të të cilit dokumentuan tragjedinë, u shpall fajtor për vrasje të rëndë, sulm të rëndë, burgim të rremë dhe përbuzje penale.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Georgia-s, Timothy Walmsley, tha se do të fillojë procesin e caktimit të dënimit brenda dy javëve të ardhshme.

Të tre burrat ende përballen me akuza federale për krime të urrejtjes në një gjyq që pritet të zhvillohet në fillim të vitit 2022.

Ky zhvillim vjen pas një procesi gjyqësor gati dy-javor, gjatë të cilit prokurorët argumentuan se të akuzuarit provokuan përplasjen fatale ndërsa avokatët mbrojtës këmbëngulën se klientët e tyre kishin vepruar për vetëmbrojtje.

Të pandehurit e ndoqën viktimën pasi e panë duke vrapuar në rrugët e komunitetit të tyre dhe sipas avokatëve mbrojtës, ata synonin ta kapnin dhe ta mbanin derisa të vinte policia, pasi dyshonin se ai kishte vjedhur një shtëpi aty pranë që ishte në ndërtim e sipër.

Prokurorja Linda Dunikoski i tha anëtarëve të jurisë se të pandehurit nuk mund të pretendojnë se po vetëmbroheshin nëse ishin vetë agresorët.

Dunikoski shpenzoi dy orë të martën në mëngjes duke sulmuar përpjekjet e avokatëve mbrojtës për të fajësuar 25-vjeçarin afrikano-amerikan për vdekjen e tij. Avokatët mbrojtës thanë se Arbery i kishte sulmuar dhunshëm me grushte të akuzuarit, duke i rezistuar një përpjekjeje të ligjshme nga ana e tyre, për ta mbajtur atë, derisa të vinte policia.

Por Dunikoski tha se ndjekësit e Arbery nuk kishin “distinktiv, as uniformë dhe nuk gëzonin autoritetet” për ta ndaluar atë. Ajo tha se ata ishin “thjesht disa djem të çuditshëm me një kamionçinë të bardhë”. Prokuroria citoi fjalët që të akuzuarit i kishin thënë policëve, menjëherë sapo kishin qëlluar viktimën, se ata e kishin parë Arberyn duke vrapuar, por nuk ishin të sigurt nëse ai kishte kryer ndonjë krim ose jo.

Avokatët mbrojtës e kundërshtuan shpjegimin e Dunikoski duke thënë se ata kishin arsye të dyshonin se Arbery kishte vjedhur sende nga shtëpia.

Vrasja e afrikano-amerikanit Ahmaud Arbery u bë pjesë e një lëvizje më të madhe kombëtare kundër padrejtësive racore, pas publikimit në internet të pamjeve filmike nga vdekja e tij, dy muaj nga incidenti./Aleanca.press/