Shumica e bizneseve të Prishtinës ende nuk janë rimbursuar

Shumica e bizneseve të Prishtinës ende nuk janë rimbursuar

Fondi prej 5 milionë eurosh, i ndarë nga Komuna e Prishtinës për t’iu ndihmuar bizneseve lokale të prekura nga pandemia, ende nuk është shpërndarë te shumica e tyre. Mbi 5 muaj nga aplikimi, vetëm një e katërta e bizneseve përfituese i kanë marrë mjetet.

Nga Komuna e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës se kur do të rimbursohen ato dhe as se kur do të përmbyllet ky proces

Hekuran Hoxhës, pronar i një kafeneje në Prishtinë, iu desh ta mbyllte biznesin për shkak të humbjeve nga pandemia. Ai thotë se u përpoq për 7-8 muaj ta evitonte mbylljen, duke investuar më shumë se 20 mijë euro në paga të punëtorëve, por pa sukses.

“Unë kam pësuar në këtë rast dhe një investim rreth 15 vjet që kam kontribuuar në gastronomi dhe të gjitha që i kam investuar në lokalin ‘Casa’ më kanë humbur në kohën e pandemisë”, ka thënë Hoxha.

Ai thotë se pavarësisht vështirësive, institucionet nuk i ndihmuan ta mbante gjallë biznesin.

“Prej Komunës së Prishtinës kemi aplikuar në atë fondin që është dhënë, por si duket shkaku i asaj klauzolës plus 50 mijë euro qarkullim vjetor në ATK, ndoshta s’e kemi përmbushur atë kusht dhe nuk e kemi parë veten në listën e përfituesve”, është shprehur Hoxha

Ndonëse Hoxha nuk ka përfituar subvencione nga Komuna e Prishtinës, ka shumë biznese që kanë qenë pjesë e listës përfituese dhe ende nuk i kanë marrë mjetet.

Nevzad Jerliu, që zhvillon biznesin e tij me një taksi, nga nëntori i pret subvencionet e Komunës.

“Kam aplikuar në nëntor të vitit të kaluar dhe më ka dalë emri si përfitues i biznesit, se e kam një biznes të vogël taksi privat, ende nuk me kanë dalë paratë dhe po presim që me na i qitë”, ka thënë Jerliu.

Komuna e Prishtinës nga nëntori i vitit të kaluar ka ndarë një fond prej 5 milionë eurosh për t’i ndihmuar bizneset që kanë pësuar humbje shkaku i pandemisë.

Në një prononcim për KOHËN disa ditë më parë, nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, kishte deklaruar se nga rreth 4 mijë përfitues vetëm 1 mijë i kanë marrë mjetet.

“Ata u janë nënshtruar 12 kritereve, 4941 biznese i kanë kaluar ato kritere, prej 7201 bizneseve që janë lajmëruar. Deri më tash kemi paguar gjithsej 1100 biznese në vlerë 749,020 euro”, pati bërë të ditur Nushi.

Megjithatë, KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës lidhur me atë se kur pritet të rimbursohen bizneset e tjera dhe kur do të përmbyllet ky proces, por nuk ka marrë përgjigje.