Si e dështuan riparimin e njësisë që prodhon 130 MW dy njerëzit e Vetëvendosjes në KEK

Si e dështuan riparimin e njësisë që prodhon 130 MW dy njerëzit e Vetëvendosjes në KEK

Njësia që arrin të prodhojë 130 megavatë orë të energjisë elektrike nga KEK është dashur të riparohej shumë kohë më parë. 

Një hulumtim i Insajderit ka zbuluar se fillimisht këtë riparim e bllokoi këshilltari i bordit, një figurë politike e Vetëvendosjes e dërguar atje pas anëtarësimit në parti dhe pas pensionimit, si dhe drejtori aktual, i caktuar nga bordi që e dërgoi Qeveria Kurti. Edhe një tender milionësh po për riparimin e kësaj njësie ka dështuar

Më 21 korrik të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka publikuar në faqen e saj njoftimin e fundit për fatin e njësisë prodhuese A5 të termocentralit Kosova A. “Njësia A-5 është ndalur për qëllim inspektimi dhe riparimi, pra kjo ndalje është bërë sipas planit për revizion konform planit të përditësuar të remonteve dhe revizioneve, duke respektuar në tërësi obligimet kontraktuale ndaj furnizuesit publik”, thuhej në këtë njoftim, dhe informacion tjetër se kur do të vihet në funksion nuk kanë dhënë.

Një hulumtim i Insajderit gjen se historia me riparimin e kësaj njësie që prodhon 130 MW energji elektrike dhe dështimi për ta riparuar vet atë është i kamotshme. Në është përfshirë edhe këshilltari i jashtëm i KEK për një kohë, Gazmend Begolli i partisë së Kryeministrit Albin Kurti.

Begolli, vite më parë ishte prezantuar nga Kryetari i Vetëvendosjes si aderim partiak në cilësi të ekspertit. Vitin e kaluar KEK-u e angazhoi si këshilltar të bordit, dhe si i tillë edhe ka dhënë prononcime.

Dokumenti që ekspozon dështimin dhe ndërhyrjen

Mbi një vit më parë, ekipi i angazhuar me këtë punë, kishte njoftuar menaxhmentin e KEK-ut se “arsyet e anulimit te projektit Riparimi Kapital i kaldajës se bllokut A5 nuk është puna e bursës”, por një problem krejt brenda kësaj korporate me 100% aksionar Qeverinë e Kosovës.

“Është kërkesë e këshilltarit të bordit (Gazmend Begolli) dhe njëkohësisht drejtorit menaxhues (Nagip Krasniqi)”, thuhet në këtë komunikim të brendshëm që e ka siguruar Insajderi.

Në prill 2021, bordi i KEK-ut i përbërë Rrezarta Pllana, Merita Kasapolli, Arbnor Pula dhe Bezad Halilaj kishin zgjedhur për kryeshef të kësaj ndërmarrjeje Nagip Krasniqin, Ish-drejtuesin e Komitetit për Energji në Vetëvendosje.

Po për këtë njësi, A5 të Kosovës A, në këtë dokument të brendshëm bëhet me dije ajo i ka arritur orët e punës dhe çdo vonesë në të ardhmen do na shkakton problem”.

Aty parashihet se procedurat e prokurimit për këto punë aq sa janë te vështira dhe zgjasin deri në lidhje të një kontrate, edhe prishin planin  e riparimeve.

“Po ashtu ne e kemi dhënë edhe një plan të riparimeve dhe remonteve të njësive të TC – Kosova – A si dhe planin energjetik, qe me këtë ndryshim vështirë se do ta përmbushim bilancin energjetike”, paralajmërohej një vit më parë.

Pavarësisht kësaj, edhe pse tashmë ka nisur që në gusht 2022 të vërehët kriza energjitike, me aplikim të reduktimeve, nga KEK nuk kanë pranuar deri tani që të komentojnë për këtë rast në pyetjet e Insajderit.

Për Insajderin ka folur Gazmend Begolli, i cili thotë që “në 2021 njësia A5 ka qenë dashtë të shkonte në Rindërtim. (Rindërtimi i njësive 200 MW është mendim i KEK-ut dhe strategjisë për energji në ardhe). Remonti Kapital me kosto 11 milion + pra ka qenë i pa nevojshem”.

I pyetur për ndikimni e tij, sipas dokumentit në fjalë, ai ka thënë se “më vjen mirë që paskna pas fuqi bllokuese”.

Sipas Begollit vonesa në vendimmarrje për Rindërtim të njësive në TC A ka bë të domosdoshëm Remontin Kapital të A5 në 3 muajt në vijim të këtij viti.

Ai ka njoftuar që më 21 qershor 2022 ka skaduar kontrata e tij me KEK.

Dështimi i tenderit të planifikuar 6 milionësh

Ky dokument i brendshëm i KEK që për ndaljen e riparimit të njësisë që prodhon 130 MW, e që fajin ia hedh këshilltarit të bordit, Gazmend Begolli e drejtorit Nagip Krasniqi, kishte mbetur një njoftim që nuk u bë publik.

Por, publike janë tendencat e KEK që këtë punë tash ta bënte përmes tenderit publik, që në fund dështoi si i tillë.

Njoftimi për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor të këtij viti. “Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kaldajës bl.A5”, është titulli i këtij tenderi, dhe që të trija punët ishin futur në një vend.

Ekspert të energjisë i kanë thënë Insajderit, se një prej pengesave për të vazhduar ky tender është edhe vet fakti që të tria komponentët, turbina, gjeneratori e kaldaja janë futur në një vend, kur janë kompani të ndryshme ato që bëjnë riparimin e pjesëve të ndryshme.

Tenderi do të qëndronte i hapur, por askush nuk aplikoi, ani spe vlera e parashikuar e tij ishte 6 milionë euro.

Blloqet e vjetruara e riparimet e vonuara

Më 8 korrik 2022 KEK-u njoftoi se po e anulon këtë tender milionësh për riparim të njësisë A5. “Nuk është pranuar asnjë ofertë”, thuhet në këtë njoftim.

KEK bëri me dije se KEK-u deri në fund të korrikut ka eksportuar diku rreth 74 milionë euro energji elektrike dhe në Shqipëri ka deponuar si huadhënie rreth 100,178 megavatë orë energji elektrike.

Dihet që deri në fund të muajit të kaluar KEK-u ishte duke operuar me 2 njësi të Kosovës A dhe me njërin bllok të Kosova B, më saktësisht me Bllokun B2, në të cilin gjatë muajit qershor ka përfunduar remonti i planifikuar.

U njoftua po ashtu se në bllokun B1, që nga 7 gushti kanë filluar punët remontuese, të cilat, sipas parashikimeve do të zgjasin diku rreth 25 ditë.

Siç kishte raportuar ‘Buletini Ekonomik”, “blloku A5 i termocentraleve Kosova A, tashmë gjendet praktikisht në remont të planifikuar. Remonti në A5 ka filluar më 20.07.2022 dhe ishte paraparë të përfundojë që në fillin të gushtit”, ishte deklaruar zyrtarisht KEK derisa tenderi për këtë punë ishte anuluar.

Një zëdhënës i KEK kishte njoftuar se për realizimin edhe të këtij remonti janë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme dhe të domosdoshme që ky remont të realizohet në kohë dhe me sukses.

Ai kishte thënë që punët remontuese më të thjeshta, siç është remonti, revizioni, bëhen rëndom nga ekipet e KEK-ut, ndërsa te remonti kapital, siç është rasti me bllokun A5, angazhohen ekipe të kompanive të jashtme të njohura për rivitalizime të mira dhe të verifikuara nga punët të ngjashme të mëhershme në termocentralet tona. 

“Pra, në punët rreth remontit kapital të A5-shit do të angazhohen ekipe punonjësish të kompanive të jashtme”, kishte thënë ai.

Kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dh tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë).

Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkërisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.

Sa shpenzon Kosova rrymë?

Kosova A, që nga paslufta ka operuar me tre blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkërisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti i A1 është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa, A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavat, ndërsa në rrjet 190.

Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji.

Kapaciteti i prodhimit këtyre ditëve i blloqeve të Kosovës A është: A3 dhe A 4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë.

Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- e vjetërsuar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.

Ndërsa, konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë rreth 600-700 megavatë, ndërsa gjatë sezonit të dimrit, konsumi i Kosovës ka shkuar edhe në 1280-1300 megavat-orë.

Si do të sigurojë Kosova sivjet, në muajt në vazhdim energjinë elektrike që do t’i mungojë mbetet të shihet.

Por, së paku deri tash, nuk është bërë publik nga ana e institucioneve vendimmarrëse të vendit ndonjë veprim më konkret, i ndërmarrë eventualisht, për t’u përgatitur për muajt e pritshëm të ftohtë, që sa çel e mbyllë sytë janë këtu, për të siguruar në ndonjë farë mënyre sado pak, sasi të rrymës që tani është fare e qartë se do të mungojë në periudhën e dimrit.

Nisja e reduktimeve dhe akuzat mes palëve të përfshira.

Në fillim të kësaj jave reduktimet e energjisë elektrike u rikthyen edhe një herë në Kosovë.

Zëdhënësi  i kompanisë private për shpërndarjen e energjisë (KEDS),  Viktor Buzhala i tha Gazetës Insajderi se të martën kufizimet kanë filluar nga ora 9:00, derisa ka shtuar se arsye për reduktime është meqë furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor, pra nga KEK-u, dhe se nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.

“Edhe sot nga ora 9 kanë filluar kufizimet e energjisë elektrike. Që 1 vit e më shumë e kemi bartur krizën në supet tona. Aktualisht kufizimet parashihen të jenë 2 orë pa energji elektrike dhe 6 me energji. Alternativa e kursimit të energjisë duhet të aplikohet” kishte thënë Buzhala.

“Gjithashtu duhet që çmimi të reflektojë koston dhe të ketë infuzion financiar për sistemin elektroenergjetik. Dihet se ishin planifikuar të jepen 90 milionë euro, porse ato para nuk janë dhënë asnjëherë dhe kjo e ka zhytur në kolaps sistemin elektroenergjetik”, ka thënë ai për Gazetën Insajderi, duke treguar se kanë instruksione prej KESKO-s që reduktimet të vazhdojnë.

KEDS thotë se reduktimet vazhdojnë, pavarësisht njoftimit të qeverisë për “furnizim të rregullt me rrymë”

Për dallim nga KEDS, KEK-u ka thënë sot se bashkëpunimi me KE të Shqipërisë ka dhënë rezultate pozitive.

Sipas një njoftimi, KEK deri më tani ka depozituar mbi 120,000 MWh energji elektrike në KESH, me qëllim të zbutjes së kërkesës në ngritje për energji elektrike në Shqipëri.

“Duke qenë se sot konsumi vendor në Kosovë ka shënuar ngritje në orë të caktuara (në kohë të pikut), KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë kanë ndërmarrë veprime të shpejta me ç’rast nga ora 14:00h janë siguruar 100 MËh/h nga energjia e depozituar e KEK-ut në KESH dhe paralajmërimi për reduktime u ndalua. Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes KEK dhe KESH çdo ditë e më shumë po tregon rezultatet pozitive në tejkalimin e krizës energjetike nga ku përfitues janë qytetarët e të dyja vendeve”, thuhej në njoftim e KEK, shkruan Gazeta Insajderi.

KEK-u tha se bashkëpunimi me KESH po jep rezultate pozitive, por vetëm pak ditë më vonë, reduktimet u rikthyen.

Si u përdorën humbjet në rrjet si arsye për reduktime gjatë verës?

“Humbjet komerciale, të shkaktuara nga vjedhjet dhe humbjet teknike të Kompanisë KEDS janë 19%” sipas Ministrisë së Ekonomisë janë edhe një arsye pse në vend ja nisën reduktimet e rrymës. Por sipas zyrtarëve të KEDS-it, që nga viti 2013 ka pas rënie të humbjeve teknike dhe atyre të shkaktuara nga vjedhjet.

Pak orë pasi nisën reduktimet e energjisë elektike, 6 orë në favor të dritës dhe 2 në favor të territ në Kosovë, Qeveria doli me një njoftim.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Ekonomisë, që drejtohet nga Artane Rizvanolli, thuhet se prodhimi ditor në KEK është rreth 507 MWh, derisa kërkesa për konsum është deri në 750 MWh.

Përveç kësaj qeveria gjeti një fajtor të ri pse vendi po përballej me reduktime të rrymës në muaj e verës, shkruan Gazeta Insajderi

Tha se humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%.

“Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-i”, u tha në sqarimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Humbjet komerciale dhe ato në rrjet nuk janë arsyetim për këto ndërprerje të rrymës që kanë nisur të hënën.

Qeveria Kurti zbulon një fajtor të ri për reduktimet e rrymës

Sipas konfirmimit nga KEDS – humbjet kanë rënë përgjatë viteve, prej kur është privatizuar distribucioni.

Zëdhënësi i kësaj ndërmarrje, Vitor Buzhala tha për Insajderin se në vitin 2013 humbjet kishin qenë 32% por se tash kanë rëndë dukshëm.

“Humbjet në vitin 2013 kanë qenë 32 për qind, ndërsa tash janë rreth 18 për qind. Duhet ta dini që aty hyjnë edhe humbjet teknike të cilat janë të pranishme në secilin sistem elektroenergjetik të botës. Pra, i kemi ulur në mënyrë të konsiderueshme, por dihet që vjedhjet luftohen nga sistemi i drejtesisë dhe i rendit. Dhe, angazhimi i sistemit të drejtësisë ka lënë për të dëshiruar, duke mos i shqyrtuar pjesën më të madhe të lëndëve për keqpërdorime që i kemi dërguar”, tha Buzhala.

Ndonëse Qeveria deklaroi se humbjet ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-I, kjo kompani thonë se nuk i shkohin si akuza nga qeveria po gatishmëri për t`iu bashkuar në këtë luftë. Dhe se një pjesë e humbjeve janë bartur mbi ta.

“Sidoqofte, angazhimi direkt i qeverisë në këtë luftë është hap për tu përshëndetur dhe do të ndihmojë shumë. Pra, ne nuk i lexojmë si akuza ato nga qeveria, por si gatishmëri për tu bashkuar në këtë luftë. Fundja, humbjet na kanë kushtuar edhe ne si kompani miliona euro çdo vit, pasi një pjesë të konsiderueshme të tyre i kemi bartur mbi supet tona”, thuhet në përgjigjene Buzhalës.

Në njoftimin për ndërprerjen e energjisë nga 2 orë pas gjashtë orësh me furnizim, KEDS fajësonte qeverinë që nuk ka shpërndarë asnjë cent tek furnizuesit nga subvencionet e paralamëruara nga qeveria në vlerë 100 milionë euro.

“Gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, rregullatori kishte marrë parasysh subvencionin e qeverisë prej 100 milionë eurosh. Asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë tek furnizuesi”, thuhet në komunikatën e KEDS të së dieles mbrëma.

“Tek ne nuk ka tranferuar fonde qeveria. Dihet botërisht që i ka ndarë 20 milionë euro për import në fund të vitit të kaluar — fillim të ketij viti, por ato para janë trasnferuar në KEK. Për detaje ju lutem drejtojuni atyre subjekteve”, tha Buzhala për Insajderin.