Siguria Energjetike e vendit, Siguri Nacionale

Siguria Energjetike e vendit, Siguri Nacionale

Zhvillimi ekonomik por edhe stabiliteti i përgjithshëm i vendit varet nga qasjet në burimet energjetike që ka, dhe strategjisë energjetike afatgjate që mundëson në mënyrë të diversifikuar të plotësohen nevojat për energji si për ekonominë dhe amvisëritë e vendit.

Shkruan: Gazmend Abrashi

Kriza energjetike e cila po troket edhe në derën tonë, si kurrë më parë po dëshmon nevojën urgjente për një strategji energjetike që të adresoj gjendjen në të cilën jemi dhe hapat që duhet të ndërmirren sa më parë për një të ardhme të sigurtë energjetike.
Kosova me prodhimin e energjisë në dy termocentralet e saj, Kosova A e ndërtuar në vitet e 70-ta dhe Kosova B, e ndërtuar në fillim të viteve të 80-ta, nuk i plotëson nevojat e veta energjetike, sidomos gjatë stinës së dimrit. Stabiliteti energjetik është kryesisht i varur nga puna e Termocentraleve duke pas parasysh se burimet alternative mungojnë, e zhvillimi i kapaciteteve në energjinë e ripërtritshme janë në fazën fillestare të zhvillimit. Jemi të varur nga importi i energjisë elektrike e që në situatë krize si kjo kur kërkesa për energji në tregun ndërkombëtar është rritur, shkakton mungesë dhe ngritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike në treg.  
Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030 kërkesa për energji elektrike në vend do të rritet për 20 përqind e që nënkupton kërkesën për së paku 1,200 GW/h energji elektrike shtesë.   
Kosova duhet ta sigurojë këtë energji për të siguruar zhvillim ekonomik, stabilitetin nacional dhe zvogloj varshmërinë nga tregu ndërkombëtar i energjisë elektrike që po bëhet gjithnjë më i paparashikueshëm. 
Kosova duhet të sigurojë qasjën në rrjetin e gazit dhe atë sa më shpejtë që është e mundur. Me shtrirjen e gazsjellësit Kosovë – Maqedoni e Veriut, ku do të mundësohej shfrytëzimi i gazit LNG amerikan, duhet përkrahur me të gjitha kapacitetet tona si projekt me interes ekonomik dhe nacional. Shtrirja e rrjetit të gazsjellësit me mbështetje të Agjencionit Amerikan MCC garanton sigurimin e gazit LNG amerikan për nevojat tona. Ky gaz arrin në Aleksandupolit të Greqisë dhe me rrjet të gazsjellësit nga Greqia, Maqedonia e Veriut duhet të lidhet me Kosovën.   
Kjo është mënyra më e shpejtë e mundshme që të fillohet me diversifikimin e burimeve të energjisë si parakusht për stabilitet energjetik, posaçërisht në rastin tonë kur kryesisht po varemi nga prodhimi i Termocentraleve Kosova A dhe B, të ndërtuara para më shumë se 40 viteve. 
Kosova duhet të lidhet edhe me rrjetin TAP, të filloj ndërtimin e Termocetralit me gaz por edhe përdorimin e gazit si karburant për industrI dhe ngrohtoret e qyteteve gjatë dimrit e gradualisht të lidhen edhe amvisëritë.
Lidhja me gazsjellës dhe shfrytëzimi i gazit është forma më e mirë e tranzicionit të prodhimit të energjisë elektrike nga thengjilli në burimet alternative të energjisë së ripërtritshme. Përdorimi I gazit siguron energji më të lirë dhe përgjysmë më pak emitim të ndotësve në krahasim me qymyrin. Rrjetin e gazsjellsit e kemi në fqinjësi si në Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri dhe kyçja në gazsjellës duhet të jetë prioritet ekonomik dhe nacional. Gjithashtu 
Kosova gjithmonë duhet të këtë  parasysh edhe interesat  gjeostrategjike të aleatëve tanë për zvoglimin e ndikimit rus në rajon dhe kjo nuk lejon mëdyshje.  
Kosovës i duhet Termocentrali i ri dhe ai duhet të jetë Termocentral me gaz me kapacitet 300 MW që duhet të ndërtohet në afërsi të qasjës në hekurudhë dhe rrjetit të gazsjellsit për të siguruar furnizim të rregullt dhe të favorshëm me gaz. 
Çmimi i ndërtimit të Termocentralit me gaz është pesëfish më i lirë se ndërtimi i Termocetralit me qymyr. Kosovës, ndërtimi i termocentralit me gaz do ti kushtonte rreth 150 milion euro. Do të jetë e pakuptimtë nëse investojmë në  rekonstruimin e Termocentralit Kosova A që do të na kushtojë shumë shtrenjtë duke pasë parasysh se së shpejti do të jemi të detyruar të paguajmë taksën e “Dioksid Karbonit” dhe ndotjën e ambientit që vie nga Termocentrali Kosova A. 
Kosova ka histori shumë specifike me gazin dhe atë me teknologjinë e shndërrimit të thëngjillit në gaz në vitet e 70-80 në kuadër të ndërrmarrjës Azotiku në kuadër të Elektroekonomisë së Kosovës. Për nevojat e Azotikut është ndërtuar rrjeti i gazsjellësit nga Obiliqi për në Mitrovicë - Trepçë, Drenas - Feronikel, Hani i Elezit -Sharcem dhe Shkup - Shkritorja e hekurit.
Traseja nëntokësore ekziston dhe ka vlerësime të ekspertëve se kjo trase me modifikimet e nevojshme mund të shfrytëzohet për lidhjen e Kosovës me gazsjellës për të siguruar furnizimin me gaz së pari të kapaciteteve industriale të Kosovës, që do të zvoglonte konsumin e energjisë elektrike dhe nevojat për import të saj.  
Në ndërkohë, Kosova nuk e ka luksin që të heqë dorë nga rezervat e mëdha të Linjitit që vlerësohen më të mëdhatë në Evropë. Azotiku i dikurshëm duhet të aktualizohet si koncept për shfrytëzimin e thëngjillit, shndërrimin e tij në gaz me teknologjitë më të reja që mundësojnë këtë. Bashkimi Evropian ka ndarë fondin prej 175 Miliardë Euro “ Vetëm për Tranzicion” për mbështetje të vendeve që kanë plane për mbylljen e termocentraleve me thëngjill. Kosova do të duhej të aplikonte për fonde me planin për mbylljen e 
Termocentralit Kosova A dhe ndërtimit të kapaciteteve teknologjike të avancuara për shndërrimin e qymyrit në gaz. 
Kosovës i duhet lidhja në gazsjellës per të diversifikuar burimet e energjisë që siguron stabilitet energjetik dhe për të mos mbetur i vetmi vend ne Ballkan pa qasje në gazsjellës. Shfrytëzimi i gazit për industrinë e vendit, shfrytëzimi i gazit për ngrohtoret e qyteteve, ndertimi i Termocentralit të ri me gaz, dhe ndërtimi i kapaciteteve të shëndrimit të thëngjillit të Kosovës në gaz do të mundësonte sigurinë energjetike të vendit në fazën e tranzicionit energjetik aktualisht të bazuar në djegien e thëngjillit, drejt zhvillimit të kapaciteteve të shfrytëzimit të energjive të ripërtritshme si synim i shoqërisë sonë.   
Hapat e parë në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme në vend janë premtuese dhe besoj se në parteritet publiko privat kjo industri do të zhvillohet për të arritur sa më parë qëllimin që Kosova të bëhet si Skocia, ku 97 përqind e energjisë prodhohet nga burimet e ripërtritshme dhe aktualisht Skocia ka në funkcion vetëm një termocentral me gaz.