Sot një thes i plehut artificial në Kosovë kushton 25 euro, vjet çmimi i tij ka qenë 8 euro

Sot një thes i plehut artificial në Kosovë kushton 25 euro, vjet çmimi i tij ka qenë 8 euro

Kjo rritje kaq e madhe e një produkti-lëndë e parë e rëndësishme në bujqësi nuk ka ndodhur deri tash në Kosovë. Janë ngritur, përafërsisht në këtë nivel, ose pak më pak se Urea, edhe të gjitha llojet e tjera të plehrave artificiale, dhe produktet e tjera të repromaterialit të bujqëve kosovarë, të cilat janë të domosdoshme për mbjelljet pranverore dhe për riplehërimin e grunajave.

Me trendin e pashembullt të rritjes së çmimeve të materialeve riprodhuese në bujqësinë kosovare, ka shumë mundësi që arat tona sivjet të mbesin djerrë, të papunuara dhe pa kultura bujqësore. Nuk është e domosdoshme të analizosh shumë për t‘u bindur që frika se arat tona do të mbesin në këtë pranverë djerrë, është reale dhe ajo tashmë i ka bërë të “flasin me veten” bujqit e Kosovës. Mjafton t’ua hedhësh vetëm një sy çmimeve aktuale, që kanë vërshuar tani këtyre ditëve pikat e tregtimit të plehrave artificiale, sidomos, të këtyre produkteve që ka vite që pa to nuk bënë bujqësia, as kultivimi, praktikisht i asnjë kulture bujqësore.

Një thes i plehut artificial -Urea, që gjatë vitit të kaluar ka kushtuar 8 euro, sot thuaja në të gjitha farmacitë bujqësore dhe në pikat e tjera të tregtimit të këtij produkti në Kosovë, kushton 25 euro, mbase mund të gjendet në ndonjë pikë tregtimi edhe me 24 euro. Kjo rritje kaq e madhe e një produkti-lëndë e parë e rëndësishme në bujqësi nuk ka ndodhur deri tani në Kosovë, sepse i bie që çmimi i një thesi të plehur artificial është ngritur trefish, ose në përqindje 300 për qind. Janë ngritur, përafërsisht në këtë nivel, ose pak më pak se Urea edhe të gjitha llojet e tjera të plehrave artificiale dhe produktet e tjera të repromaterialit të bujqëve kosovarë, të cilat janë të domosdoshme për mbjelljet pranverore dhe për riplehërimin e grunajave.

Në interesimin e Buletinit Ekonomik, në shumë shumë pika të tregtimit të materialit riprodhues, ose të lëndës së parë të nevojshme për mbjelljet pranverore, anë e kënd Kosovës, janë marrë përgjigje që tregojnë për ngritje enorme të çmimeve, veçanërisht të plehrave artificiale. Diku shitësit thonë se është rritur çmimi 100 deri 120 për qind, diku mbi 200 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por është fare lehtë për t’u parë ngritja enorme. Mjafton të krahasohet çmimi i vjetshëm i një thesi Urea, ta zëmë, që ka qenë nga 6 deri 8 e 9 euro më së shumti me atë të tanishmin që është 25 euro. Ky krahasim të frikëson domosdo, sikundër që i ka frikësuar dhe i ka stepur tashmë shumicën e bujqëve kosovarë.

Sot, çmimi i një thesi të plehut Urea 46% (kështu quhet marka e këtij lloj plehu) nëpër barnatoret bujqësore në Kosovë sillet nga 23 euro e gjysmë deri në 24 e 25 euro, ndërkohë që vitin e kaluar çmimi i tij ka qenë vetëm 8 euro. Një nga faramcistët bujqësor, në kushte anonimiteti, për Buletinin Ekonomik ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar këto lloje të plehrave janë rritur përafërsisht 100-120 për qind, pasiqë plehu vjeshtor i Greqisë dhe ai i Rusisë kanë qenë në treg me çmim 8 euro, ndërsa plehi i Austrisë është tregtuar me çmim 7 euro e 50 centë. Ndërkohë, ai poashtu thotë se çmimi i plehut artificial Urea 46% në përiudhën e njejtë të vitit të kaluar është shitur për 9 euro, ai KAN 27% me 6 euro dhe KAN 39% për vetëm 6 euro e 25 centë për thes.

Në anën tjetër, farmacisti bujqësor në fjalë, tha tutje se edhe farërat për mbjellje kanë shënuar një ngritje për 10 deri në 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Sipas tij, me rritjen e çmimeve të këtyre materialeve riprodhuese, pritet shumë shpejtë që të rriten edhe çmimet e produkteve bujqësore si ato të grurit, qepës, hudhrës, patates, rrushit, domates dhe specit. Mirëpo, në një barnatore bujqësore në Prishtinë, shitet edhe një lloj tjetër i plehut artificial i cili përmban Urea 25%, KAN 10 % dhe mikroelemente të tjera si zink, bakër dhe hekur me veprim tremujor. Pronari i kësaj barantoreje, poashtu në kushte anonimiteti, tha se çmimi i thesit i cili peshon 25 kilogramë aktualisht shitet 18 euro aty./Aleanca.press/