Daut Haradinaj për kundërkandidatët: Unë synoj kreun, mund të punoj me secilin

Daut Haradinaj për kundërkandidatët: Unë synoj kreun, mund të punoj me secilin

Gjatë ecjes në parkun e Velanisë, në drejtim të varrit të Presidentit Rugova, Haradinaj kujtoi hendekun e madh politik të asaj kohe mes LDK-së dhe liderëve të UÇK-së. Ai e ka vlerësuar koalicionin e atëhershëm të AAK-së me LDK-në, ka qenë lëvizja më e mençur politike e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj. 

“Prej atij momenti, u thyen barrierat, u hek hendeku dhe u thyen vijat e kuqe” – ka thënë Haradinaj. Mesazhi që iu dërgua botës së jashtme ishte se edhepse kemi dallime, nuk kemi armiqësi të brendshme. Ajo qeverisje po ashtu ishte storie e suksesit.

Edhe sot ka dallime, por sipas Haradinajt nuk duhet të e shohim tjetrin si armik, sepse është legjitime që dikush t’i takojë të djathtës e dikush të majtës. 

Megjithatë, Haradinaj shtoi se “na mendojmë që e majta nuk i bën nder Kosovës, sepse nuk kemi parë shembuj në ndonjë shtet, që zhvillimi bëhet duke e shkel ekonominë e lirë”.

Ai shtoi se pavarësisht kësaj, qytetarët vendosën ndryshe dhe tani e kemi një qeverisje të majtë në vend. 

“Nuk jemi të kënaqur me këtë situatë, pavarësisht situatës pandemike. Vendi duhet të zhvillohet e jo të sanksionohet” – tha Haradinaj.

Sa i përket koalicioneve komunale, Haradinaj tha se kushdo që flet për vija të kuqe është mashtrues publik. Është logjike të ketë preferenca për koalicione. 

“Qëllimi im është me qenë kryetar komune. Me të gjithë kisha punu. Nuk e kam asnjë problem. Kandidatët tjerë nuk i njoh, përpos Uranit, me të cilin kam pas bashkëpunim shumë të mirë” – ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj beson se me kundërkandidatët e tij do të përballet në debat dhe ftoi qytetarët e Prishtinës, që të mos i votojnë ata që nuk përballen në debat. Mospërballja në debat tregon se kandidati po fsheh diçka apo edhe nuk ka aftësi. 

Për Arben Vitinë, Haradinaj tha se prej një njeriu anonim u shndërrua në hero. Ai ironiroi me Vitinë duke thënë “se shkelqimi i shokut Zylo është shumë shpejt në rënie”. 

“Rënia është shumë më e shpejt sesa ngritja” – tha Haradinaj, duke numëruar dështimet e Vitisë në menaxhimin e pandemisë si ministër i Shëndetësisë. 

“Nuk ja fal qytetari. 36 të vdekur në ditë janë shumë” – shtoi Haradinaj. 

Te varri i Presidentit Rugova, Daut Haradinaj shpalosi kujtimet se kur si gjimnazist, kishte qenë për një kohë të shkurtër kryetar i rinisë së LDK-së për fshatin e tij dhe kishte miqësi me udhëheqësit e LDK-së së kohës. Ai vlerësoi Rugovën për paralelizmin ndaj Serbisë, duke e konsideruar si meritë të jashtëzakonshme të tij. “LDK si lëvizje qytetare ka dhënë kontribut të pamohueshëm për të ardh deri te liria, e pastaj edhe te pavarësia” – është shprehur Haradinaj. /Aleanca.Press/