Tahiri: Kriminelët e vërtetë janë strehuar në Serbi, ata sot kanë funksione shtetërore

Tahiri: Kriminelët e vërtetë janë strehuar në Serbi, ata sot kanë funksione shtetërore

Asnjëherë nuk kam menduar se Lufta për çlirimin e popullit të Kosovës, kundër regjimit të Millosheviqit, duhet të dëshmohet në pastërtinë e sajë në Gjykatë, sepse gjykatat janë mekanizëm jo që pastron por që dënon dhe i nxjerrë kriminelët përpara drejtësisë duke ju dhënë verdiktin e merituar.

Njohësi i zhvillimeve politike, Ramush Tahiri për aleanca.press ka folur gjatë për zhvillimet në Kosovë, në theks të veçantë për Gjykatën Speciale dhe aktakuzat ndaj udhëheqësve të UÇK-së.

Ai tha se Kosova është dashur me kohë të ketë Gjykatën e saj që trajton krimet e luftës pa dallime. Sipas tij, ndërkombëtarët nuk kanë qenë të interesuar të merren menjëherë me krimet e luftës, vrasësit e vërtetë, dhunuesit e plaçkitësit për t’i sjellur para drejtësisë.

Kemi pasur gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it, për shumë vite, por asnjëherë ama asnjëherë nuk ka ndodhur që të kërkojnë as nga Interpoli dhe të sjellin ndonjë kriminel të luftës që janë të strehuar në Serbi, e disa edhe në funksione në ushtri, në polici ose në institucione shtetërore serbe e që edhe sot japin deklarata dhe mbajnë ligjërata për luftën në Kosovë duke akuzuar e nëpërkëmbur luftën e popullit për liri, kundër regjimit okupues represiv të shtetit të Serbisë”, ka thënë Tahiri.

Mosveprimi i ndërkombëtarëve për ti nxjerr para drejtësisë ata që vërtetë kanë bërë krime në Kosovë, sipas tij, mund të ketë ndodhur me qëllim që të mundësohet një pajtim duke u përpjekur që koha ti zbehë ose mbulojë krimet.

Ndërkombëtarët duket se këtë e kanë bërë kinse të mos ketë hakmarrje, edhe pse e dinë se ligji vë drejtësi dhe është mekanizëm i shoqërive të civilizuara ose e kanë bërë kinse për pajtim duke u përpjekur koha ti zbehë ose ti mbulojë krimet. Misioni i UNMIK-ut dhe i EULEX-it kishte të drejtën ekskluzive dhe institucionet e Kosovës mbetën të pafuqishme karshi kësaj. Kuvendi i Kosovës miratoi Gjykatën Speciale, me vota unanime dhe kjo gjykatë pas pesë vjetësh ka nisur të veprojë dhe gjatë këtij viti do të kemi proceset gjyqësore, por edhe arrestimet dhe dërgimin e njerzëve në burgjet jashtë Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Sipas Tahirit, aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit është në vijën e përgjegjësive dhe në hierarkinë komanduese. 

Rasti i Thaçit dhe i Veselit është simptomatik, se së bashku edhe më nëntë persona të tjerë akuzohen për së paku njëqind vrasje dhe për po aq plagosje tortura dhunime etj. që do të thotë se akuza është në vijën e përgjegjësive dhe në hierarkinë komanduese dhe se akuzohen se kanë urdhëruar, se kanë qenë në dijeni apo se nuk kanë penguar kryerjen e këtyre krimeve dhe së fundi se nuk kanë denoncuar kryerjen e këtyre krimeve që ndodhën në periudhën kohore inkriminuese në territorin e Kosovës. Nëse kjo propozim aktakuzë e prokurorisë speciale pranohet nga Gjykata, e duket se në këtë drejtim procedural të punës po shkohet, atëherë do t’i hapet rruga që të procedohen e gjykohen edhe së paku njëqind persona të tjerë për rastet konkrete të krimeve të pretenduara të luftës”, është shprehur ai.

Të akuzuarit nuk do ta kenë mundësinë të mbrohen në gjendje të lirë, ata, siç tha Tahiri, do të arrestohen dhe të dërgohen në paraburgim në Hagë, sepse mund të ketë paragjykime se Kosova si një vend i vogël me lidhje farefisnore, miqësore e shoqërore mund ta kompromentojë procesin.

Unë jam i bindur se asnjë nga personat e akuzuar nuk do ta ketë mundësinë të mbrohet në gjendje të lirë, por të gjithë do të arrestohen e do të dërgohen në paraburgim në Hagë në mënyrë që pa shpenzime shtesë të udhëtimit, të sigurimit të vizave dhe të akomodimit nëpër hotele, tash nga dhomat e paraburgimit të jenë në dispozicion për procesin gjyqësor. Hetuesit dhe gjyqtarët ndërkombëtar (tash edhe avokatet po i marrin ndërkombëtarë) si duket kanë paragjykime se Kosova është e vogël dhe se lidhjet farefisnore e miqësore e shoqërore janë shumë të forta dhe se procesi gjyqësorë do të komprometohej, nëse të akuzuarit lihen në gjendje të lirë, sepse do të kishin mundësi të ndikojnë tek dëshmitarët, tek provat, në ballafaqimin si dhe në vajtje ardhjet sepse do të mund të nxirrnin dokumente për gjendjen shëndetësore që ju pamundësojnë udhëtimin, apo arsyetime për raste vdekjeje ose sëmundjeje në familje. Në këtë mënyrë që në kohën e caktuar të mos paraqiten përpara Gjykatës”, shtoi ai.

Sipas tij, tani është e pamundur të zhbëhet kjo Gjykatë, e as amandamentimi i Ligjit në mënyrë që kjo gjykatë t’i procedonte të gjitha krimet e kryera dy vite gjatë luftës dhe një vit pas luftës në Kosovë, e jo veç krimet e pretenduara nga UÇK-ja.

Unë konsiderojë se Kosova në këto kushte nuk mund ta zhbëjë këtë gjykatë edhe pse kjo është e drejtë absolute, legjitime e saj dhe për këtë ka një opinion të krijuar dhe një gatishmëri të votohet në Kuvend. Gjithashtu tash nuk do të ishte e mundshme as amandamentimi i Ligjit në mënyrë që kjo gjykatë ti procedonte të gjitha krimet e kryera dy vite gjatë luftës dhe një vit pas luftës në Kosovë, e jo veç krimet e kryera të pretenduara nga UÇK. Ka kaluar shumë kohë dhe janë dhënë miliona euro deri tash dhe është e pamundur që tash të ndryshohet lënda, objektivi dhe karakteri i Dhomave të Specializuara të Gjykatës”, ka shtuar ai.

Gjykatat janë mekanizëm jo që pastron por që dënon dhe i nxjerrë kriminelët përpara drejtësisë duke ju dhënë verdiktin e merituar

Asnjëherë nuk kam menduar se Lufta për Çlirim e popullit të Kosovës, kundër regjimit të Millosheviqit, duhet të dëshmohet në pastërtinë e sajë në Gjykatë. Sepse gjykatat janë mekanizëm jo që pastron por që dënon dhe i nxjerrë kriminelët përpara drejtësisë duke ju dhënë verdiktin e merituar. Në Gjykatën e Hagës kemi pasur jo të shpallur të pafajshëm, për të gjitha pikat e akuzës, por të liruar për mungesë të provave”, përfundon Tahiri./aleanca.press/