Takimi i Vitisë me kryetarët e komunave, kështu pritet të ndahen dozat e para të vaksinës antiCOVID

Takimi i Vitisë me kryetarët e komunave, kështu pritet të ndahen dozat e para të vaksinës antiCOVID

Kryetarët e komunave janë takuar sot me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të biseduar lidhur me shpërndarjen e 24.000 dozave të vaksinës antiCOVID, të cilat kanë arritur mbrëmë në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Po, takimi është mbajtur në orën 10:00. Janë diskutuar shumë tema, në mesin e tyre çështja e specializantëve, për barnat esenciale, për takimet e Asociacionit me MSH-në lidhur me masat, si dhe çështja e vaksinave.

Ministri Vitia tha se nga 24 mijë doza vaksina, 13 mijë të ndahen për stafin shëndetësor në vijën e parë të frontit dhe 11 mijë për personat mbi moshën 80-vjeçare”, tha Ibrahimi për Sinjalin.

Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Më herët, autoritetet kanë thënë se do të përdorin sallën “1 Tetori” në Prishtinë si qendër të vaksinimit.

Kompania farmaceutike AstraZeneca, e ka zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Vaksina administrohet te personat mbi 18 vjeç dhe jepet përmes dy dozave, shkruan Sinjali.

Intervalet ndërmjet dozave variojnë nga katër deri në 12 javë. Disa studime kanë sugjeruar se sa më e gjatë të jetë distanca kohore ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më shumë ka gjasa që vaksina të nxisë imunitet kundër sëmundjes COVID-19.

AstraZeneca ka thënë se efikasiteti i vaksinës së saj në parandalimin e simptomave të COVID-19 është 76 për qind./Aleanca.press/