Tërhoqi zvarrë me makinë policen zvicerane e cila mezi shpëtoi, sa do të dënohet kosovari

Tërhoqi zvarrë me makinë policen zvicerane e cila mezi shpëtoi, sa do të dënohet kosovari

Ai e ka tërhequr policen disa metra zvarrë me makinë: Policja ka pësuar një frakturë komplekse në bazën e kafkës dhe ishte në rrezik akut për vdekje

Një i ri, i cili tani është 20 vjeç, ka goditur me makinën e tij një police në Cyrih gati dy vjet më parë me ç`rast i ka shkaktuar lëndime të rënda. Në janar 2022 ai do të përgjigjet për këtë para Gjykatës së Qarkut të Cyrihut.

Edhepse procesi gjyqësor ndaj shtetasit zviceran me rrënjë nga Kosova do të zhvillohet në janarin e ardhshëm, ish e dashura e tij është marrë në pyetje të hënën (dje) si dëshmitare në Gjykatën e Qarkut, transmeton albinfo.ch.

Ajo kishte qenë ulur në makinë pranë të akuzuarit ndërsa në ulësen e pasme të veturës ishin edhe tre shokë të tjerë. “Pa drogë dhe alkool nuk do të kishte arritur puna deri këtu”, është shprehur 18-vjeçarja para gjykatësit.

Të gjithë kishin qenë në disponim të mirë deri në momentin kur dy policët kanë kërkuar të kontrollojnë makinën. “Largohu prej këtu…” kishte bërtitur duke përdorur fjalë të pista i dashuri i saj, shkruan 20minuten.ch. Pastaj ai kishte shpejtuar makinën dhe qe larguar.

Sipas dëshmitares, policja ka bërë një lëvizje tjetër drejt armës, por më pas ajo është katapultuar nga makina. Pas krimit, pesë të rinjtë kanë shkuar me makinë në shtëpi, ku kanë vazhduar të konsumojnë kokainë dhe alkool.

Ndërkaq, ky është versioni i prokurorisë: Pesë të rinjtë kanë shkuar me makinë në Strichplatz (vend ku qëndrojnë prostitutat) në Cyrih-Altstetten pak pas orës 23:00 më 28 shkurt 2020 dhe aty kanë filmuar ato. Kur një nga gratë u tregoi për këtë policëve të pranishëm, dy nga ta vendosën të kontrollonin makinën. Sipas aktakuzës, i akuzuari është ndalur për një kohë të shkurtër, e ka ngarë veturën mbrapa dhe është kthyer me shpejtësi. Një punonjës i SIP Züri, i cili gjithashtu kishte ndërhyrë, mundi të hidhej në vend të sigurt në sekondat e fundit me një kërcim anash.

Pasi kishte bërë disa metra mbrapa, i akuzuari kishte ndaluar në mënyrë të vrazhdë dhe i kishte dhënë makinës gaz. Makina me këtë rast ka kapur policen, e cila qëndronte në anën e majtë të makinës, transmeton albinfo.ch. Këmba e saj e djathtë qe kapur në zonën e rrotës së veturës dhe kështu gruaja qe tërhequr zvarrë nga makina për gati 16 metra.

Një këmbësor dhe një prostitutë, të cilët ishin gjithashtu aty, arritën të shpëtonin duke u hedhur në anën tjetër të makinës.

Policja e qytetit, atëbotë 38-vjeçare, ka pësuar lëndime të rënda dhe po i vuan pasojat edhe sot. Ajo ka pësuar një frakturë (thyerje) komplekse në bazën e kafkës, në këmbë dhe në gju si dhe ishte në rrezik akut për vdekje. Sipas aktakuzës, ajo sipas të gjitha gjasëve do të vuajë nga dhimbje koke dhe reduktimi i aftësive për vite me radhë ndërsa ka humbur në mënyrë të pakthyeshme shqisën e nuhatjes. Ajo nuk mund të ndjekë më aktivitetet e saj të kohës së lirë si noti, çiklizmi, ecja me qen dhe nuk do të mund të punojë më si police në vijën e parë.

I riu, i papunë  dhe pa profesion, i cili  jeton në qytetin e Cyrihut, kishte bërë edhe shkelje tjera, të ndryshme me veturën e të atit, edhe pse zyra e trafikut rrugor nuk kishte pranuar t’i jepte lejen për të ndjekur autoshkollën. Kështu ai kishte ngarë makinën e babait me mbi 110 kilometra në orë në qytet dhe kishte filmuar veten. Në celularin e tij policia ka gjetur edhe filma të ndaluar që përmbajnë dhunë.

Prokurori publik kërkon që 20-vjeçari të dënohet me 16 vite burg për tentimvrasje të shumëfishtë, rrezikim të jetës dhe kundërvajtje të tjera në trafik. Gjyqi do të zhvillohet në mesin e janarit 2022 në Gjykatën e Qarkut të Cyrihut./Aleanca.press/