Zëdhënësi i KEDS’it: Qeveria të blejë pelet e t’i furnizojë qytetarët

Zëdhënësi i KEDS’it: Qeveria të blejë pelet e t’i furnizojë qytetarët

Kosova është paralajmëruar se do të përballet me një “dimër të vështirë” si pasojë e krizës energjetike.

Teksa qytetarët kërkojnë alternativa të tjera për ngrohje në rast të reduktimeve të rrymës, çmimi i druve ka arritur gati në 80 euro për metër dhe ai i peletit ka shkuar gati në 400 euro për një ton.

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala ka dhënë një ide për Qeverinë në mënyrë që çmimi i peletit të bëhet më i përballueshëm për qytetarët.

“Me kane si qeveria i kisha mbushe nja dy anije te medha me kontejnera me pelet edhe i kisha pru ne Kosove prej vendeve qe e kane lire dhe kualitativ. Ate pelet e kisha shite pa fitim, pra vetem me i nxjerre paret e buxhetit. Ne kete menyre edhe ish ule cmimi i peletit pertoke, kishin perfitu krejt qytetaret dhe e kishin siguru ngrohjen, edhe shtetit nuk i kish kushtu asnje cent”, shkruan ai në postimin e tij.

Kujtojmë se që nga fillimi i javës, Kosova është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike.

Ministria e Ekonomisë të hënën bëri të ditur se reduktimet do të ndërpriten dhe furnizimi i rregullt me energji elektrike do të rikthehet falë ndihmës nga Shqipëria.

Mirëpo, përkundër kësaj reduktimet kanë vazhduar çdo ditë që nga dita e hënë.

KEDS ka bërë të ditur kjo gjendje do të vazhdojë deri në stabilizim të situatës.