Zjarri djeg një shtëpi në Suharekë, Muharremaj: S’mund të bënim asgjë

Zjarri djeg një shtëpi në Suharekë, Muharremaj: S’mund të bënim asgjë

Situata me zjarre në komunën e Suharekës po vazhdon të jetë e rëndë, kjo pasi që kjo komunë tash e tre ditë po përballet me vatrat e zjarrit.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se një shtëpi në fshatin Vraniq është përfshirë nga flakët gjatë ditës së sotme.

“Kemi tetë vatra të zjarreve. Diku më shumë e diku më pak. Mirëpo për fat të keq kemi edhe ndezjen shtëpisë së parë në fshatin Vraniq. Situata ishte e pamenaxhueshme me qytetarët dhe zjarrfikësit pasi kemi shumë pak zjarrfikës”, tha Muharremaj për RTV Dukagjini.

Bali Muharremaj thotë se në fshatin Krushicë kanë dalë mbi 100 vullnetarë për të shpëtuar shtëpitë nga zjarret.

“Malin në këtë pjesë nuk mund të shpëtojmë. Por përpiqemi t’i shpëtojmë shtëpitë”, deklaroi Muharremaj.

Muharremaj thotë se edhe në fshatin Studeqan zjarri është afruar shumë te shtëpitë por bashkë me qytetarët situata është menaxhuar disi.

I pari i Suharekës thotë se në këtë komunë i kanë vetëm 12 zjarrfikës.

Ai ka shtuar se sonte presin ndërhyrjen e helikopterëve të KFOR-it pasi sipas tij është vështirë të ndërhyhet me mjete tjera rrethanore./Aleanca.press/